Emocione të forta ka provuar 13-vjeçarja Kler Caku në Kampionatin Evropian të Shahut, të mbajtur në Rapid të Sllovenisë, pak ditë më parë.
“Në ndeshjet e Evropianit unë bëhesha e kuqe komplet nga stresi. Loja më e fortë u zhvillua me një shahiste nga Sllovenia, por lajtarja më e fortë ishte një ukrainase, të cilën e munda”,– rrëfen Kler për “DurrësLajm”.
Mes angazhimeve të shkollës dhe përkushtimit ndaj shahut është e vështirë të gjesh një ekuilibër, por Kler po ia del më së miri.
“Ka qenë një rrugëtim i vështirë, sepse patjetër duhet shumë punë, që të avancoj edhe më shumë. Duhet të punoj çdo ditë deri në 2 orë me shahun, duhet të fokusohem tek çdo ndeshje që bëj dhe patjetër që duhet të fitoj eksperiencë. Fillimisht bëj mësimet, pastaj në kohën që më mbetet bëj shahun”,– thotë kampionia e vogël.
Për kreun e Federatës Shqiptare të Shahut, Erald Dervishi, Kler Caku premton shumë për të ardhmen dhe vëmendja ndaj saj është maksimale.
“Eshtë vajzë super inteligjente dhe e talentuar, është një shahiste e mrekullueshme, shpresojmë që gjithë këto elementë ta bëjnë Klerin jo vetëm kampione Evrope për moshën e saj, por të jetë kampione evrope dhe bote edhe kur të rritet”, thotë Dervishi.
Ndërsa për trajnerin e saj prej 5 vitesh, Kristaq Andoni, mbështetja nga FSHSH ka qenë e madhe.
“Kleri aktualisht stërvitet me stafin e numrit 1 të botës dhe nën kujdesin e presidentit të Federatës 13-vjeçarja ka bërë hapa përpara dhe do të bëjë akoma”.
Por pavarësisht suksesit mjaft të merituar në një moshë shumë të re, mbështetja shtetërore për këtë sportiste të talentuar mungon. Kryeministri Edi Rama i kushtoi një postim sportistes 13-vjeçare, por ndërkohë vajza e vogël nuk ka në Tiranë një sallë shahu, ku të stërvitet.
“Këto shahistë nuk kanë marrë ende shpenzimet e prapambetura. Në bazë të vendimit të qeverisë u takon, por problemi është që unë meqë mu dha rasti po i bëj thirrje kryeministrit, të cilin e përgëzoj që i inkurajon kalamajtë, por mund t’i them kjo është e pamjaftueshme sidomos për Tiranën, që nuk ka një sallë shahu. Në qoftë se Tirana do të kishte një sallë shahu rezultatet do të ishin 10-fish më të larta”,- tha trajneri Andoni.
“Nuk jemi në nivelet e duhura, por shpresojmë që ky eveniment madhështor, ky rezultat i suksesshëm i këtyre të rinjve të shihet më me entuziasëm në të ardhmen”,– thotë trajneri Lorenc Ramaj, që drejton ekipin e Teutës, pjesë e të cilit është dhe kampionia më e re e Evropës për 14-vjeçarët.
Në kampioniatin Evropian të Shahut për moshat deri në 14 vjeçe, Kler siguroi 7 fitore dhe 2 barazime.
M.B.