20-vjetori i themelimit të kolegjit “Eneida” ka bërë bashkë në Qendrën Kulturore Durrës stafin pedagogjik, nxënës dhe ish-nxënës si dhe komunitetin e prindërve.

I konceptuar si një koncert festiv, ky 20-vjetor vulosi përpjekjet ndër vite të këtij institucioni arsimor për të orientuar në rrugën e dijes qindra nxënës, në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar.  

Për drejtoreshën ekzekutive Eneida Lusha, cilësia e mësimdhënies ka qenë objektivi primar që ka udhëhequr punën e stafit drejtues dhe atij pedagogjik.

“Ruajmë shumë cilësinë dhe jo sasinë. Çdo vit ne jemi drejt një numri në rritje dhe drejt arritjeve për sukses. Kolegji mirëpret të gjithë nxënësit nga kopshti deri në ciklin e plotë 12-vjeçar, por shumica e nxënësve janë ata që nisin frekuentimin e kolegjit që në vegjëli, që 2 vjeç, në çerdhe dhe arrijnë të mbarojnë me sukses maturën”.

Me rastin e 20-vjetorit të kolegjjit, të pranishmit patën mundësi të ndiqni një dokumentar të shkurtër të historikut të këtij institucioni dijesh, që rrugëtimin në vitin 2003 e nisi vetëm me 5 nxënës, për t’u dhjetëfishuar brenda një periudhë shumë të shkurtër kohore.  

“Ishin kërkesat e prindërve dhe familjeve, që na nxitën të hapnim ciklin e ulët, të mesëm dhe të lartë në kolegjin “Eneida””,- tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij drejtori i parë i kolegjit Vahid Lusha.

“20 vite nuk janë pak, por nuk janë as shumë për të pasur sukses dhe arritje. Ne sigurisht që besojmë dhe shpresojmë dhe me shumë entuziazëm jemi optimistë që dhe 20 vite të tjera, edhe 100 i urojmë vetes dhe kolegjit.” ,- shton drejtoresha ekzekutive.

Aktualisht kolegji “Eneida” numëron mbi 250 nxënës. Besimi i komunitetit të prindërve për stafin pedagogjik ka qenë një hallkë shumë e rëndësishme për progresin ndër vite të kolegjit dhe vlerësimet e marra për paraqitjen mjaft dinjitoze në aktivitete kulturore e artistike.

“Nëse do të mbjellësh për një vit mbill grurë dhe misër. Nëse do të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.”

Këto fjalë të urta të rilindasit Sami Frashëri, të risjellja në mbrëmjen festive nga drejtoresha Lusha kanë qenë udhëzuesi i drejtuesve dhe arsimtarëve të kësaj shkolle gjatë 20 viteve përkushtim dhe angazhim në fushën e dijes.

Misioni i tyre 20-vjeçar do të vijojë edhe për shumë dekada të tjera.

M.B.