Identifikohet dhe vihet në pranga 33-vjeçari nga Kruja, i cili 4 ditë më parë, dyshohet se vuri eksploziv në ambientet e jashtme të mobilierisë së 48-vjeçarit në fshatin Rrashbull.
Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije se u vu në pranga shtetasi Alban Qira.
Ndërkohë janë zbardhur 3 rastet e vendosjes së lëndës eksplozive në po këtë mobileri. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i dënuar më parë për krime në fushën e narkotikëve, është autor dhe i 2 shpërthimeve të tjera në këtë biznes, të kryera më datat 18.11.2023 dhe 07.03.2024. Nga shpërthimet ka patur vetëm dëme të pjesshme materiale.
Policia njofton: Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobilieri) e shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit Alban Qira, 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë.
Nga këto veprime dyshohet se më datat 18.11.2023, 07.03.2024 dhe 03.04.2024, shtetasi Alban Qira ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.





