Në sallat e mëdha ku bëhet art, mosha nuk ka qenë kurrë një pengesë për shkëlqimin.

Dëshmi e kësaj ishte së fundmi koncerti-recital “Sweet sixteen”, ku u shpalos talenti i jashtëzakonshëm i Violeta Beshirit.

Vetëm 16 vjeçe, e veshur me një veshje elegante, Violeta performoi para të pranishmëve të gjithë repertorin e saj muzikor.

Ishte 9 vjeçe, kur e nisi rrugën e saj muzikore, si një vajzë e vogël me një ëndërr të madhe.

“Nuk do thoja që ka qenë një rrugëtim i vështirë, sepse aty ku ka pasion, aty ku ka dashuri, gjërat nuk janë të vështira”, tha ndër të tjera për “DurrësLajm” Violeta, ndërsa mamaja e saj shtoi se ky rrugëtim “ka kërkuar shumë sakrifica nga ana jonë dhe nga ana e Violetës, por ishte një sakrificë të cilën ne e kemi bërë me shumë dashuri për të, jo se është vajza jonë, por kemi parë çdo ditë përkushtimin e saj.”

Mësuesja e saj e muzikës, Edmonda Rotani tregon se “filluam me festën e shkollës, që bëhet çdo 5 vite, ishte 15-vjetori ku Violeta u ngjit për herë të parë në skenë dhe fill pas kësaj ishte hapi i parë drejt konkurimeve ndërmjet shkolla, që ajo fitoi çmimin e parë në këngën popullore.”

Dikur pjesë e festivaleve për fëmijë, tashmë ky koncert recital mund të konsiderohet një “Start” i mirë për të në botën e këngëtarëve të rritur.

Por cili është çelësi i suksesit?

Violeta dhe mamaja e saj nuk ngurojnë ta ndajnë atë me ndjekësit e “DurrësLajm”.

“Rruga e duhur është gjithmonë ajo që ndjek zemrën dhe dëshirën tënde. Për sa kohë që ndjek atë që ty të pëlqen, do të gjesh padyshim rrugën tënde”, thotë plot pasion Violeta.

“Të gjithë i duan fëmijët e tyre, por ndoshta kjo nuk mjafton. Ti mund t’i blesh fëmijës të gjithë pasurinë e botës, por ajo çfarë mendoj unë është gjëja më e rëndësishme është koha, koha të cilën prindi ja kushton fëmijës së tij, vetëm kjo nuk blehet. Kështu që, në rast se prindi i kushton kohë e vëmendje fëmijës së tij, do e kuptojë se çfarë do fëmija”, thotë si një apel për çdo prind mamaja e Violetës.

Me kompozitorin e mirënjohur Ylli Ramzoti dhe poetin Agim Bajrami në skenë, Violeta mori edhe një vlerësim nga Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, që erdhi si një kujtesë, se mosha nuk është pengesë për madhështinë.

K.Gj.