27 fëmijë të moshës 6 deri në 11 vjeç, morën pjesë në edicionin e parë të konkursit të bukurisë “Miss Kids World Albania & Krenaria Shqiptare & Top Model Albania 2024″.
Eventi i bukurisë u mbajt mbrëmjen e së dielës në sallën “Black Box”, të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës.
Mes morisë së sfilatave dhe numrave artistikë, vogëlushët pjesëmarrës shpalosën jo vetëm bukurinë fizike por dhe aftësitë artistike.
Organizatorët kishin menduar të ndanin tre çmime kryesore, për vogëlushët më të bukur të konkursit.
Çmimin Miss & Mister Kids Krenaria Shqiptare, e fituan Alisia Killica dhe Rigers Llaha, të moshës 10 vjeç.
Çmimin Top Model Albania e fitoi Ansel Hajdini, 8 vjeç.
Ndërsa, Miss & Mister Kids World Albania u shpallën Gloria Xharra 8 vjeç dhe Francesko Zakolli 10 vjeç.
Konkursi i bukurisë u zhvillua në prag të festave të nëntorit dhe ka për qëllim edukimin kulturor dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, që fëmijëve duhet t’i trashëgohet brez pas brezi.