Më 20 dhjetor, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, fëmijët e talentuar të “Ari Metani Dance Company” sollën një spektakël të jashtëzakonshëm, duke mbyllur me sukses sezonin artistik të kompanisë. “Ari’s Angels Dance Show” u kthye në një festë të vërtetë, duke sjellë atmosferën e festave dhe magjinë e kërcimit në zemër të Durrësit.

Shfaqja përfshiu performanca të ndryshme nga fëmijët e qytetit, të cilët kënaqën publikun me talentin, energjinë dhe përkushtimin e tyre. Fëmijët nga Durrësi treguan se arti dhe kërcimi po njohin nivele të reja falë punës së palodhur të kompanisë dhe fëmijëve.

Nën drejtimin e koreografit Ari Metani dhe ekipit të tij të përkushtuar, çdo detaj i shfaqjes nga lëvizjet e sofistikuara të kërcimit kostumet e larmishme dhe skenografia e bëri këtë shfaqje një eksperiencë të paharrueshme.

Publiku shpërtheu në duartrokitje të fuqishme, duke vlerësuar talentet e reja dhe mesazhin e gëzimit që përcolli ky spektakël.

“Ari Metani Dance Company” falënderon nga zemra të gjithë fëmijët pjesëmarrës, familjet e tyre dhe publikun që mbështetën këtë event të veçantë. Durrësi, me fëmijët e tij të mrekullueshëm, tregoi edhe një herë se është një vatër e artit dhe kulturës.