Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Bashkia Durrës organizon një sërë aktivitetesh festive më 1 Qershor në Sheshin “Liria”. Kjo ditë do të shënohet me një atmosferë të gëzueshme dhe të mbushur me aktivitete argëtuese për fëmijët e qytetit.
Aktivitetet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin deri në orën 12:00. Gjatë kësaj fashe orare do të marrin pjesë fëmijët e kopshteve të Durrësit, të cilët do të argëtohen me shfaqje cirku dhe lojëra të ndryshme. Animatorët do të jenë të pranishëm për të krijuar një ambient të hareshëm dhe ndërveprues, ndërsa Qendra Kulturore e Fëmijëve do të ofrojë aktivitete edukuese dhe argëtuese. Në të njëjtën kohë, do të organizohen edhe aktivitete artizanale dhe pikturë në fytyrë (Art Craft & Face Paint), të cilat do t’u japin fëmijëve mundësinë të shprehin kreativitetin e tyre.
Në vijim, nga ora 17:00 deri në 19:30, skena e Sheshit “Liria” do të jetë e rezervuar për performanca artistike të grupeve të njohura të kërcimit. Trupa të ndryshme do të japin shfaqje të veçanta, përfshirë Aldo Dance, GleDance Studio dhe Ari Metani Dance Company, të cilat pritet të sjellin energji pozitive dhe argëtim për të gjithë të pranishmit.
Në një njoftim në rrjetet sociale, kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, ka ftuar qytetarët të bashkohen në këtë festë, duke theksuar: Ejani të festojmë së bashku 1 Qershorin në një atmosferë fantastike. Ju mirëpresim!





