Një incident i simuluar në det ndodhi sot në ujërat territoriale të vendit tonë, rreth 6 milje larg portit të Durrësit.
3 anije të Flotës Detare Shqiptare, “Lissus”, “Oriku” dhe “Semani”, 2 anije amerikane dhe 2 helikopterë “Cougar” të Forcës Ajrore morën pjesë në këtë incident të simuluar, që bëhet në kundër të stërvitjes së përbashkët ndërkombëtare “Defender Europe 25”, që shtrihet, në fazën e dytë të saj, në 8 shtete të Ballkanit dhe Europës Juglindore.. Për herë të parë, Shqipëria angazhon në këtë stërvitje dronët e saj, të cilët monitoronin gjithë operacionin në det dhe transmetonin në kohë reale pamjet filmike tek komanda e brigadës në Zallher.
Stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor dhe ka për qëllim rritjen e gatishmërisë së përbashkët, ndërveprimit të forcave dhe kapacitetit të përgjigjes ndaj kërcënimeve në një ambient operacional kompleks. Skema e stërvitjes bazohet në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen kolektive në rast të një sulmi ndaj ndonjë vendi aleat.
Veç Shqipërisë, një tjetër vend kyç ku do të zhvillohet stërvitja është Kosova. Në të dy vendet do të trajnohen skenarë të mbrojtjes së infrastrukturës kritike, sigurimi i pikave të imbarkimit dhe menaxhimi i logjistikës së avancuar, thelbësorë për reagimin në kohë reale ndaj kërcënimeve të mundshme.
“Numri i trupave në tërësi të angazhuar në “defender Europe” është 1400 persona. Janë rreth 1550 forca amerikane, të cilat janë të dislokuara nga pjesa detare deri në pjesën tokësore. Janë rreth 39 Forca të Sigurisë së Kosovës, si dhe kroate”,- deklaroi Kundëradmirali Adnand Agastra, Komandant i Forcës Detare.
“Defender Europe 2025”, është demonstrimi më i madh ushtarak në Europë, i udhëhequr nga trupat amerikane, e ku përfshihen anëtarë të Nato-s dhe vende partnere. E ndarë në tre faza, stërvitja, e cila ka nisur në pjesën veriore të kontinentit, më 11 maj, do të përfshijë afro 28 mijë trupa nga 39 vende. Operacionet do të shtrihen në territorin e 16 shteteve dhe në to, do të angazhohen njësi të shumta ushtarake nga deti, toka dhe ajri.
M.B.





