Harta e re për ndarjen e plazheve përgjatë vijës bregdetare të bashkisë Durrës ngjalli debate në Këshillin Bashkiak.

VKM-ja e qeverisë Rama i përjashton baret dhe restorantet nga marrja e lejeve për stacion plazhi, duke favorizuar strukturat hoteliere, por sipas këshilltarëve të opozitës, ky ndryshim mund të ulë ndjeshëm të ardhurat e bashkisë. Për më tepër, bashkia Durrës nuk ka një database të saktë të hoteleve që do të ofrojnë plazhe private përgjatë vijës bregdetare dhe për këtë arsye nuk mund të përllogaritet as efekti ekonomik i këtyre ndryshimeve. Gjithçka mbetet të vlerësohet pas përfundimit të sezonit.

“Përsa i përket studimit të fizibilitetit nuk ka, ne zbatojme vendimet sipas VKM-së. Nuk kemi një informacion të saktë për të ardhurat, të cilat i shkojnë në fund të vitit bashkisë. Konkretisht nuk kemi të dhëna të sakta, sepse nuk i përcakton bashkia subjektet përfituese. Ne thjesht propozojmë dhe janë organet e tjera që vendosin. Nisur nga VKM-ja nuk ka një kriter largësie fiks nga një strukturë akomoduese për sipërfaqen që mund të marrë, por prapë nuk është bashkia ajo që e përcakton këtë.”,– deklaroi nënkryetari i bashkisë Renis Mullaj.

Ne duhet të na bëjë merak se sa do jenë të ardhurat, që do të hyjnë në bashki. Kur të mblidhemi për raportin, duhet të shohim, ku do të bëhet gabimi. Unë gabimin e di ku është. Qëndron tek VKM-ja sepse nuk mund ta përcaktojë Tirana për disa interesa të vogla se çfarë do të bëhet me Durrësin”,– tha këshilltari Ardian Muka.

Një tjetër pikë e diskutuar e mbledhjes së Këshillit Bashkiak ishte ajo që lidhej me subvencionimin e transportit publik. Dy operatorë të këtij shërbimi do të mbështeten me rreth 4 milion lekë nga bashkia për të mbuluar kostot dhe për të ruajtur çmimin e biletës në nivelin 40 lekë.

Këshilltarët e djathtë kërkuan një shërbim më të mirë në transportin publik nga operatorët privatë, pasi gjendja e shumë prej urbanëve lë për të dëshiruar.

Gjatë mbledhjes u miratuan me unanimitet votash përfundimi para afatit i mandatit të këshilltarëve Ani Dyrmishi dhe Manjola Luku, të cilët në muajin shtator pritet të marrin mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.

M.B.