Java ka nisur me një kroçerë luksi në portin e Durrësit.

Mëngjesin e sotëm është ankoruar tek kalata nr.5 kroçera “Emerald Azzurra”, e cila e prek portin e Durrësit për herë të parë.

Me 75 pasagjerët që ka në bord dhe 88 anëtarët e ekuipazhit, mjeti luksoz lundrues do të qëndrojë në portin më të madh në vend deri në orën 19.00, kur është planifikuar nisja e tij drejt Brindizit, Itali.

“DurrësLajm” mëson se turistët do të vizitojnë qytetin bregdetar dhe qendrën historike të Krujës. Më parë kroçera luksoze qëndroi disa orë në portin e Sarandës, në jug të vendit.

110 metra i gjatë, Emerald Azzurra është një superjaht elegant privat, në pronësi australiane, që është ndërtuar në vitin 2022.

Superjahti luksoz është i arreduar me mobilje të prodhuara nga disa prej kompanive më të njohura në botës dhe është i pajisur edhe me një pishinë gjigande.