Sigma Vienna Insurance Group ka përuruar zyrtarisht zyrën e saj të re në qytetin e Durrësit, një hap i ndermarrë për të ofruar shërbim më të aksesueshëm, më komod dhe më cilësor për qytetarët dhe partnerët në qytetin bregdetar.
Zyra e re ndodhet pranë lokacionit të mëparshëm, por vjen me një infrastrukturë moderne dhe ambiente të përshtatura për nevojat bashkëkohore të klientëve dhe stafit. Ajo përfaqëson jo vetëm një investim në infrastrukturë, por edhe një angazhim të qartë për përmirësimin e përvojës së klientit dhe forcimin e prezencës në tregun lokal.
Drejtimin e kësaj zyre të re e ka marrë Aishe Thartori, një profesioniste me eksperiencë të gjatë në sektorin e sigurimeve. I është besuar kjo detyrë e rëndësishme për shkak të përkushtimit ndaj klientëve, integritetit profesional si dhe aftësive të dëshmuara menaxheriale. Kështu, zyra e re pritet të sjellë një standard të ri shërbimi në qytetin e Durrësit.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Sigma dhe CEO i saj, Klaidi Çitozi, të shoqëruar nga menaxherë të tjerë të kompanisë. Ata iu bashkuan stafit të Sigma Durrës për të uruar një fillim të mbarë dhe suksese të mëtejshme në këtë kapitull të ri të zhvillimit të kompanisë.
“Kjo nuk është degë e re, kjo është vazhdimi i degës më të vjetër të kompanisë sonë, që është hapur 26 vite më parë. Është vazhdimi i një pune të suksesshme në qytetin e Durrësit. Më vjen shumë mirë që shoh krijuesit e kësaj dege, të cilët me shumë përkushtim e bënë një nga degët më të mira në Shqipëri, jo vetëm të SIGMA-s, por të të gjithë tregut të sigurimeve. Më vjen mirë vazhdimësia me të rinjtë, për arsye se stafeta duhet lënë dhe është lënë në duar të sigurta. I është lënë Aishes. Durrësi në vetvete zgjerohet çdo ditë dhe ne duhet të zgjerohemi dhe në bazën e klientëve dhe jo vetëm me klientët tradicionalë. Ju uroj gjithë të mirat dhe suksese”,- tha Çitozi gjatë fjalës së tij.
Përmes këtij investimi, Sigma VIG rikonfirmon përkushtimin për të qenë afër klientëve në qytetin e Durrësit, për të ndërtuar besim të qëndrueshëm dhe për të ofruar zgjidhje sigurimi që pasqyrojnë nevojat reale të individëve dhe bizneseve.





