Një konferencë shkencore ndërkombëtare në Shkencat kompjuterike dhe Teknologjinë e Informacionit do të mbahet për 2 ditë në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.
Me dhjetëra kërkues shkencorë nga universitete nga 22 vende dhe nga 3 kontinente të ndryshme do të diskutojnë të enjten dhe të premten lidhur me kërkimet më të fundit në fusha si Inteligjenca artificiale, Machine learning etj dhe zbulimet e dala në pah në lëmin akademik dhe atë teknologjik.
“Më shumë se 22 vende të botës marrin pjesë në këtë konferencë, të cilat vijnë nga 3 kontinente të ndryshme. Kjo konferencë e parë me një pjesëmarrje kaq të gjerë është një sukses i vërtetë, për më tepër që organizohet në Universitin e Durrësit dhe jo atë të Tiranës. Shpresoj se kjo konferencë do të pasohet nga të tjera në vazhdimësi”,- Bakir Karlik, një nga organizatorët e konferencës ndërkombëtare.
“Kjo konferencë përfshin topics të ndryshëm si Inteligjenca artificiale, Machine Learning, Information technology, Emerge Technology etj. Risia që sjell konferenca është sepse ne kemi aplikuar për indeksimin e Proceeding Book në Springer dhe shpresojmë shumë që kjo të na aprovohet nga Springer”,– deklaroi për “DurrësLajm” zv/dekani për kërkimin shkencor në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, Amarildo Rista.
Gjatë dy ditëve të konferencës ndërkombëtare, pritet ta marrin fjalën studiues dhe kërkues shkencorë nga të gjitha vendet pjesëmarrëse, për të prezantuar para trupës akademike rezultatet e kërkimeve të tyre.
Zhvillimi i kësaj konference e vendos edhe njëherë universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit në fokusin e universiteteve prestigjioze ndërkombëtare në Evropë dhe më gjerë.
M.B.





