Skerdilajd Xhametaj, pronari i vendbazimit ku ndodhi incidenti i rëndë me një 21-vjeçar belg, është lënë i lirë nga Gjykata e Durrësit, pasi ishte arrestuar për dy vepra penale: “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “pengim të së vërtetës”.

Prokuroria kërkoi zëvendësimin e masës së arrestit, kërkesë që u pranua nga trupa gjykuese, e cila vendosi ndaj Xhametajt masën e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur” pranë policisë gjyqësore, dy herë në muaj.

Në vendim, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij, nëse nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale.

Kujtojmë se incidenti i rënd me mjet lundrues të tipit “Jetski” ndodhi në ambientet e vendbazimit në pronësi të Xhametajt, ku një 21-vjeçari me shtetësi belge u aksidentua dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.