Majla, Egis dhe Iril Ismailaj kanë një pasion të veçantë për artin, e që në moshë të vogël i janë nënshtruar kurseve të ndryshme për piano, pikturë dhe kërcim.

Sot kur dy më të mëdhatë ndjekin shkollën e mesme, ndërsa më e vogla është ende në ciklin fillor vijnë para artdashësve me tablotë e tyre, të realizuara në vite të ndryshme.

Përmes pikturave dhe vizatimeve me motive popullore, peizazheve apo natyrave të qeta, 3 motrat Ismailaj kanë realizuar tablo mjaft interesante, duke shprehur më së miri përmes tyre pasionin për të bukurën.

Irili është më e vogla e shtëpisë dhe prindërit e kanë orientuar drejt kurseve të pikturës, apo kërcimit, jo vetëm për të ndjekur shembullin e motrave më të mëdha, por edhe për ta mbajtur larg asaj që në ditët tona konsiderohet “armiku” nr.1 i brezit të ri, teknologjisë.

Ekspozita “3 penelat” e tre motrave Ismailaj do të qëndrojë e hapur përgjatë kësaj jave në sallën e QKF Durrës dhe artdashësit, por edhe nxënësit e shkollave, do të mund ta ndjekin nga afër atë.

M.B.