Kthimi i Durrësit në një destinacion gjithë vjetor turistik dhe reportazhet e mediave të huaja për atë çfarë ofron qyteti buzë Adriatikut për turistët e huaj kanë shërbyer si katalizator për nxënësit e klasës së 7-të, të shkollës “Jusuf Puka”, për të ideuar dhe realizuar një minireportazh në anglisht.
Nën kujdesin dhe mbështetjen e mësueses kujdestare Kozeta Lika, 20 nxënësit e klasës së 7-të u shndërruan në turistë për një ditë dhe vizituan e promovuan disa nga sitet e trashëgimisë kulturore, qendrën historike, vijën bregdetare, ofertën gastronomike etj, që qyteti 3000-vjeçar ofron për çdo vizitor.


Projekti për të cilin nxënësit u angazhuan për rreth 1 muaj titullohet “Durres, our city” (Durrës, qyteti ynë). Pas 30 ditësh gjatë të cilave së bashku me mësuese Kozetën mësuan në shkollë skenarin e reportazhit dhe improvizuan të gjitha skenat që do të xhironin në terren, minireportazhi u xhirua në terren për të qenë gati pak para hapjes së sezonit veror.
“Ejani të vizitoni Durrësin, perlën e Adriatikut”. Kjo është ftesa që 20 nxënës 13-vjeçarë u drejtojnë në fund të minireportazhit turistëve të huaj, nga të gjitha vendet e botës.
Më shumë sesa një apel për të huajt, kjo ftesë të bën të kuptosh, që edhe pse të vegjël, këta të mitur janë të ndërgjegjshëm për vlerat e qytetit ku jetojnë, e duan Durrësin dhe pse jo në të ardhmen do të bëhen qytetarë të denjë të tij.





