Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fotografisë, që përkujtohet çdo vit më 19 gusht, në ambientet e sallës “Skënderbej”, në Pallatin e Brigadave, u zhvillua një takim miqësor me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bajram Begaj.


Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të FotoKlub Durrës, të kryesuar nga drejtuesi i saj Palush Jorgji, së bashku me anëtarët Fatmira Prodani, Indrit Domi, Griseld Hoxha, Astrit Tahiri, Anri Shuka dhe Xhulio Çyçeku, si dhe fotografët shqiptarë Albes Fusha dhe Arben Aliaj, e nga Kosova Burim Myftiu.
Gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e artit të fotografisë në komunitet, rolin e saj në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës, si dhe nevojën për studimin dhe zhvillimin e fotografisë tek brezat e rinj.
“Kënaqësi të takohesha me profesionistë të fotografisë të angazhuar në “Fotoklub Durrës”.
I falenderova për pasionin dhe përkushtimin ndaj fotografisë, e cila ndikon në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive dhe shërben si një arkivë e rëndësishme e identitetit tonë”, shkruan në postimin e tij në rrjete sociale, presidenti Bajram Begaj

FotoKlub Durrës i dhuroi Presidentit të Republikës simbolin e mirënjohjes “Mik i Fotografisë”, si një shenjë respekti për mbështetjen dhe vëmendjen ndaj artit dhe kulturës së fotografisë.
“Fotografia bashkon njerëzit, ruan kujtesën dhe i jep zë kohës”. Kjo është dhe motoja që udhëheq FotoKlub Durrës, i themeluar rreth 1 vit më parë në qytetin bregdetar.







