Nënshkrimi i marrëveshjes mes ministrisë së Financave me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e rehabilitimit të rrjetit të kanalizimeve dhe përmirësimin e trajtimit të ujërave të ndotura në qytetin e Durrësit i hap rrugë investimit më të madh të bërë nga BE në fushën e mjedisit.

Përmes grantit të Bashkimit Evropian, në vlerën rreth 85 milionë euro dhe huasë së AFD-së prej 33.4 milionë euro, po financohet projekti për përmirësimin e kanalizimeve dhe të sistemit të ujërave të ndotura në qytetin e Durrësit.

“Vlera totale e programit arrin në rreth 118.2 milionë euro, duke përfaqësuar një investim të rëndësishëm në infrastrukturën publike, me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Durrësit, përmes përmirësimit të shërbimeve dhe krijimit të një mjedisi më të pastër”,- bën të ditur Ministria e Financave.

Bashkëpunimi do të zgjerohet edhe më tej me fazën e dytë të programit, ku pjesa më e madhe e financimit nga Bashkimi Evropian, në vlerën 52 milionë euro, do të jetë grant, siç njoftoi edhe vetë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

“Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili finnacon përmes grantit rreth 2/3 e investimit. Në total projekti parashikon rreth 113 kilometër rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh. Përgjatë 3 viteve të ardhshme 2027-2030 kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotura me vlerë 330 milionë euro”.  

Projekti do të përmirësojë kushtet e jetesës për më shumë se 400,000 njerëz që jetojnë në qytet ose që vijnë në qytet për pushime.

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, znj. Ritva Heikkinen, vlerësoi se “ky është investimi më i madh i Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit në Shqipëri deri më sot”.

“Përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ne do të ofrojmë rreth 85 milionë euro financim në formën e grantit. Presim që projekti të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe të rëndësishëm në jetën e qytetarëve të Durrësit. Ai do të përmirësojë shërbimet e kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të zeza, duke kontribuar në reduktimin e ndotjes mjedisore përgjatë bregdetit të Adriatikut”,- tha më tej ajo.

Investimi mbi 118 milionë euro në Durrës pritet të garantojë një rrjet kanalizimesh më modern, trajtim më të mirë të ujërave të ndotura dhe mjedis më të pastër.

Aktualisht, vetëm rreth 20% e ujërave të ndotura të qytetit të Durrësit trajtohet në përputhje me standardet e BE-së, duke kontribuar në një ndotje të konsiderueshme të bregdetit Adriatik dhe kosto më të mëdha mjedisore, ekonomike dhe shëndetësore. Projekti do t’i adresojë këto sfida duke rritur mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura me 85%, si dhe duke krijuar rrjete të ndara të ujërave të shiut dhe ujërave të ndotura në qendrën historike të qytetit. 100,000 banorë të rinj do të lidhen me rrjetet e kanalizimeve në Durrës.

M.B.