Zyrtarë amerikanë dhe përfaqësues të Huthive zhvilluan një takim të fshehtë gjatë fundjavës në Ambasadën e SHBA-së në Muskat, Oman, në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në Detin e Kuq. Takimi u zhvillua me ndërmjetësimin e Omanit, ndërsa Huthit kishin avancuar përgjatë bregdetit të Detit të Kuq dhe kishin marrë kontrollin e pikave strategjike, përfshirë Mocha dhe ishullin Perim.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, gjatë bisedimeve Huthit u zotuan se nuk do të sulmojnë anijet amerikane ose izraelite dhe se do të respektojnë armëpushimin e arritur më herët me Uashingtonin. Megjithatë, grupi la të hapur mundësinë e sulmeve ndaj anijeve të lidhura me Arabinë Saudite. Takimi vjen në një moment tensioni të lartë në Jemen, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë në përplasjen mes Huthive dhe forcave të mbështetura nga Arabia Saudite.
Çfarë u thanë Huthit amerikanëve?
Në takim, për të cilin një burim tha se u zhvillua të dielën, Huthitët i siguruan zyrtarët amerikanë se nuk kanë ndërmend të sulmojnë anijet amerikane dhe se mbeten të përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2025 me Shtetet e Bashkuara, sipas dy burimeve. Një nga burimet, nga Jemeni, tha gjithashtu se grupi tha se nuk do të sulmonte anijet izraelite ose anije të tjera tregtare, me përjashtim të atyre që i përkisnin Arabisë Saudite.
Sipas dy burimeve, pala amerikane u përfaqësua nga zyrtarë të ambasadës amerikane. Një nga këto burime tha se delegacioni i Huthit përfshinte Mohammed Abdulsalam , një zyrtar të lartë të grupit me seli në Muscat, i cili është nën sanksione të SHBA-së. Një burim tjetër konfirmoi praninë e Abdulsalam, si dhe një zyrtari tjetër të lartë të Huthit, Abdelmalik al-Ajiri.
Uashingtoni nuk e konfirmon takimin
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nëse Shtetet e Bashkuara ishin takuar me përfaqësuesit e rebelëve Huthi në Oman, nuk pranoi të konfirmonte nëse takimi kishte ndodhur. Megjithatë, ai theksoi se sigurimi i lirisë së lundrimit në Detin e Kuq dhe parandalimi i eksportit të terrorizmit nga Lindja e Mesme janë interesa thelbësore amerikane.
Bisedimet në Oman pasuan një përparim të madh ushtarak nga rebelët Huthi javën e kaluar. Grupi ka marrë në mënyrë efektive kontrollin e të gjithë vijës bregdetare të Detit të Kuq të Jemenit, duke përfshirë portin historik të Mocha dhe ishullin e Perim në ngushticën strategjike Bab el-Mandab.
Ngushtica, e njohur edhe si “Porta e Lotëve”, ndodhet në hyrje të Detit të Kuq dhe është një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë, duke transportuar pjesën më të madhe të tregtisë midis Evropës dhe Azisë.





