Policia e Durrësit njoftoi pak më parë se në lagjen nr.8 të qytetit bregdetar është goditur një bazë e përpunimit të drogave të forta, në sajë të operacionit të koduar “Baza”.

Në pranga ranë shtetasit Klejton Xhaferri, 32 vjeç dhe Ergys Vogli, 33 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të dy banues në Durrës, të cilët kishin përshtatur banesën e marë me qira si bazë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.

Burimet zyrtare bënë me dije se gjatë kontrollit në këtë banesë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip “Beretta”, municion luftarak, 2 peshore elektronike, një sasi prej 73.940 lekësh të rinj dhe 49 euro vlerë monetare e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, 408 gramë lëndë narkotike heroinë dhe 11.5 gramë lëndë narkotike kokainë, të cilën këta shtetas e përgatisnin në doza të vogla, gati për shitje në qytetin e Durrësit.

Mësohet se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.