Qendra Rajonale e Kontrollit Teknik të automjeteve në Durrës do të transformohet. 

Ajo shumë shpejt do të duket kështu, sepse ka nisur puna për rikonstruksionin tërësor, që pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2023.   

E ndërsa të gjithë pyesin, nëse puna për rikonstruksionin e godinës do të pengojë dhënien e shërbimeve për qytetarët, drejtuesit e saj thonë se nuk ka vend për shqetësim. 

Aktualisht po punohet. Për shkak të fluksit të pakët, është menduar që kjo është periudha më adapte për t’i kryer ndërhyrjet”, tha për “DurrësLajm” Dorian Koçeli, specialist i kontrollit teknik.  

Pas dakordësimit me bashkinë Durrës, rikualifikimi urban do t’i japë zgjidhje çështjes së parkimit, si dhe do t’u mundësojë akses më komod qytetarëve. 

Endriola Llaha, koordinatore e Marrëdhënieve me Publikun sqaron se “projekti parashikon zgjerimin me një linjë të re testimi për kontrollin teknik dhe hapësira jashtë për 95 vendparkime shtesë, hijëzim, ulëse, trotuare e zonë pedonale, rrugë, ndriçim e gjelbërim, në një sipërfaqe rreth 7,500 m2”. 

Lajmi i mirë për drejtuesit e mjeteve, është se një linjë e re testimi do të thotë më pak fluks në pikun e sezonit veror dhe dimëror.  

Kjo është një prej ndërhyrjeve rikonstruktuese më të mëdha të ndërmarra nga Drejtoria e Transportit Rrugor, që do t’i shërbejë qytetarëve të bashkive Durrës, Krujë, Shijak, Kavajë e Rrogozhinë, ku ofrohen afro 398 000 shërbime në vit.  

Qendra renditet e dyta në rang vendi përsa i takon mjeteve rrugore aktive, pasi numëron 106 330 të tilla, si dhe rreth 146 000 drejtues mjeti në regjistrin kombëtar. 

K.Gj.