Rritja gati dyfish e çmimit të lejes së drejtimit ka dyndur qytetarët durrsakë në dyert e poliklinikës së specialiteteve, e cila është zhvendosur prej muajsh në Pediatrinë e spitalit.

Pamjet filmike që po publikon “DurrësLajm” tregojnë radhët e gjata të qytetarëve, kryesisht të rinj, që qëndrojnë në pritje prej orësh për të vulosur dokumentacionin për lejen e drejtimit.

Sot është afati i fundit për marrjen e lejes së drejtimit me çmimin 45 mijë lekë, sepse që nga 1 marsi nis të aplikohet çmimi 85 mijë lekë.

Pavarësisht qëndrimit disa orësh në radhë, qytetarët refuzuan të jepnin një opinion të tyre lidhur me rritjen e çmimit të patentës, që pritet të rëndojë edhe më shumë xhepat e familjeve me të ardhura mesatare.

Vlera prej 85 mijë lekësh për marrjen e lejes së drejtimit u vendos pas një marrëveshje, mes shoqërive të interesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Kjo shifër është konsideruar relativisht e lartë nga qytetarët duke hedhur akuza ndaj DPSHTRR.

Ndërkohë, ditë më parë, Blendi Gonxhe, drejtuesi i këtij institucioni si dhe pjesëtarë të shoqatës së autoshkollave, thanë se këto kosto janë shtesë për shkak të zgjatjes së programit të teorisë dhe praktikës.    

M.B.