Megjithëse fillim tetori, adhuruesit e plazhit vazhdojnë ta frekuentojnë vijën bregdetare të Durrësit.

Pamjet filmike të marra paraditen e sotme nga operatori i “DurrësLajm” dëshmojnë se pavarësisht se temperaturat janë disa gradë më poshtë sesa në gusht dhe 15 ditëshin e parë të shtatorit ka ende shumë plazhistë që i gëzohen banjove të diellit.

Qetësia që të fal në këtë fillim muaji bregdeti i Durrësit e bën plazhin shumë të preferuar për ata që duan të pushojnë larg zhurmës dhe fluksit të plazhistëve gjatë muajve të verës.

Kujtojmë se pak ditë më parë, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako gjatë konferencës që u zhvillua në Gjirin e Lalëzit për bilancin e sezonit turistik, tha se shumica e hoteleve në vijën e parë bregdetare janë të prenotuar deri në mesin e muajit tetor.