Këtë të shtunë, gjyqtari Xhevdet Lika, vendosi të linte në fuqi kërkesën e organit të akuzës për të lënë në masën e sigurisë “Arrest në burg” ish-drejtoreshën e shkarkuar të filialit të Postës Shqiptare Durrës, Elisabeta Mataj.
Po ndërsa ish-drejtoresha do të rikthehet sërish në burg, pasi mbi të rëndon akuza “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim, zbulohet një tjetër detyrë e rëndësishme që Mataj ushtronte.
Përveçse është anëtare e Këshillit Bashkiak Durrës e zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste, Mataj është pjesë edhe e Këshillit drejtues të Autoritetit Portual Durrës.
Kujtojmë se Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i APD-së dhe përbëhet nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sektorit privat.
Mes anëtarëve të tij, emrat e të cilëve gjenden të publikuar në faqen e APD-së është dhe emri i Matajt, si përfaqësuese e Prefekturës Durrës!
Duket se mes angazhimeve të shumta shtetërore si drejtoreshë poste, anëtare e KB-së dhe anëtare e Këshillit drejtues të portit dhe njëkohësisht si bashkëshorte dhe nënë e 6 fëmijëve, Elisabeta Mataj gjente kohë të frekuentonte dhe kazinotë, siç u evidentua sot gjatë seancës gjyqësore!
M.B.






