Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, këshilltarja Morena Boja ngriti shqetësimin e 15 familjeve në njësinë administrative Manëz, të cilët 3 vite pas tërmetit vijojnë të jetojnë në kontejnerë, pasi kanë mbetur të pastrehë nga fatkeqësia natyrore.

Në përgjigjen e saj, kryebashkiakja Emiriana Sako sqaroi se pavarësisht se jetonin deri në momentin e fatkeqesisë natyre në një pallat në Manëz, këto familje nuk kishin dokumente pronësie, ndërkohë që pronësinë e ka përfituar me vendim gjykate një subjekti tjetër përfitues.

“Për programin e rindërtimit, këta banorë nuk kanë pasur asnjëherë shtëpi”,- tha Sako.

Gjithsesi, sipas kryetares, bashkia do të sjellë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak një projekt vendim për t’u miratuar, që do t’i hapë rrugë sistemimit të këtyre banorëve në sitin e pallateve të reja në Manëz përmes një programi strehimi.

“Në një nga këta kapituj, këto familje kanë mundësi të strehohen në pallatet e reja duke u bazuar në aktin normativ nr.9 me një program strehimi. Materiali do t’i prezantohet këshillit në mbledhjen e ardhshme. Ne duam të bëjmë pjesën e shortimit të këtyre familjeve për t’i bërë pjesë të lagjes së re të Manzës, me programin e rindërtimit por jo përfitues të apartamenteve, por të strehuar në këto apartamente”,- tha Sako.  

M.B.