Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako ka përkujtuar mëngjesin e sotëm 30-vjetorin e udhëtimit të anijes “Vlora” drejt portit të Barit, Itali më 8 gusht 1991.

Në një postim në rrjete sociale, Sako shkruan se 20 mijë emigrantët që udhëtuan vite më parë shkruan historinë e Shqipërisë dhe Italisë.

Sipas kryebashkiakes, sot, pas 30 vitesh gjithçka ka ndryshuar.

“Në përkujtim të 30 vjetorit të zbarkimit të 20.000 emigrantevë shqiptarë me anijen Vlora në portin e Barit. Moment shumë i rëndësishëm historik përsa i përket fenomenit të emigrimit më të madh në vendin tonë në shekullin e kaluar. Tridhjetë vjet më parë personat në bordin e anijes “Vlora” shkruan historinë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Italisë. Sot 30 vjet më pas gjithçka ka ndryshuar. Komuniteti shqiptar konsiderohet si një vlerë e shtuar dhe pjesë aktive e shoqërisë italiane. Janë gjysmë milion shqiptarë, që sot jo vetëm jetojnë, punojnë, por edhe kontribuojnë në ekonominë italiane. Janë me mijëra të rinjtë që studiojnë në universitetet italiane. Shqiptarët që u larguan u bënë qytetarë dinjitozë dhe të respektuar në vendet ku jetojnë prej dekadash.”