· Nënkryetari i FRD-së: “vendosa se ishte më korrekte të votoja pro interesit publik duke rrëzuar atë amendament” të përgjimeve në vitin 2010
DURRËS, 19 tetor 2014 – Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike Gazmend Oketa, në një intervistë përIsuf Kurtajn e gazetës “Shekulli”, shpjegon arsyet që e shtynë të mos votonte kundër amendamenteve të propozuara nga qeveria e Berishës në 2010-ën para Komisionit të Sigurisë. Duke e konsideruar si një objektiv personal të Berishës, mosvotimi shënoi dhe hapin e parë drejt largimit nga Partia Demokratike, që, sipas Oketës, aktualisht ka humbur identitetin dhe moralin politik. I pyetur nëse Rama duhet të këmbëngulë në vizitën e tij në Beograd, pavarësisht asaj që ndodhen, Oketa tha se kryeministri i Shqipërisë, pavarësisht se cili mund të jetë, përfaqëson shqiptarët, dhe interesat e popullit të tij. Në këtë vijë mendimi, sipas Oketës, Rama duhet të shkojë në Serbi, por më parë duhet të vendosë se çfarë qëndrimi do të mbajë.
Z. Oketa në korrik të vitit 2010, ju së bashku me z. Leonard Demi, keni votuar kundër amendamenteve të paraqitura në Komisionin e Sigurisë. Pse ishit kundër amendamenteve dhe cilat ishin pakënaqësitë tuaja ndaj ligjit për SHISH-in që sollën më pas dhe përplasjen tuaj të parë me mazhorancën e asaj kohe?
Me sa kujtoj, amendamentet e paraqitura para Komisionit Parlamentar të Sigurisë në thelb nuk kishin të bënin me ndonjë përmirësim ligjor, i cili do të ndihmonte punën e atij institucioni. Ato ishin thjesht një mekanizëm për të arritur një objektiv individual të kryeministrit të asaj kohe, i cili ishte pikërisht kontrolli i plotë mbi atë institucion nga ana e tij dhe jo një objektiv politik i mazhorancës. Në korrik të vitit 2010, Shqipëria kishte pak më shumë se një vit që ishte bërë anëtare e NATO-s, dhe si ish-Ministër i Mbrojtjes i asaj periudhe, dija fare mirë pasojat që mund të kishte Shqipëria për sa u takon marrëdhënieve me atë organizatë nëse ato ndryshime miratoheshin.
Mos harrojmë se kundër atyre ndryshimeve u deklarua në kuvend zëvendëskryeministri e Ministër i Jashtëm i kohës, duke përcjellë njëkohësisht dhe shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë, ishte prononcuar kundër Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Rasmussen e po ashtu ish-ambasadori i SHBA-ve në Tiranë. Nisur nga të gjithë faktorët që rendita më lart, vendosa se ishte më korrekte të “përplasesha” me mazhorancën e të votoja pro interesit publik duke rrëzuar atë amendament. Besoj se koha na dha të drejtë për qëndrimin tonë. Fatkeqësisht sot SHISH-i është rikthyer në qendër të debatit politik dhe duket sikur ky shërbim ka deformuar misionin e tij.
Cili ishte reagimi i mazhorancës së asaj kohe pas kundërshtimeve tuaja ndaj amendamenteve, a kishte presion ndaj jush pjesa tjetër e deputetëve të djathtë?
Pavarësisht se konsiderohet si “përplasje” me mazhorancën, kujtoj se jo pak deputetë jashtë deklarimeve publike ishin kundër atyre ndryshimeve dhe na kanë përgëzuar për qëndrimin që mbajtëm. Ajo nuk ishte një nismë politike që kishte objektiv një reformë institucionale. Shumica e dinin dhe e kuptonin se ishte një nismë personale e ish kryeministrit. Di që dhe një pjesë e ministrave dhe drejtuesve të lartë të PD-së, të asaj kohe janë “lehtësuar” kur kanë mësuar faktin se unë dhe z. Demi votuam kundër atyre amendamenteve.
Siç kishte dhe servilë politik të kryeministrit, të cilët as e kishin idenë se për çfarë flitej, por meqë e kishte kërkuar udhëheqësi ata e konsideronin detyrim për ta miratuar. Kjo kategori mendonte se ruante nderin e partisë duke mbajtur një lloj qëndrimi kundrejt nesh, por asnjëherë nuk ka pasur presion. Në fakt sot disa prej tyre i dëgjoj në deklarime publike kundër ish-kryeministrit dhe PD-së, shumë më të ashpra se ç’mund ta imagjinoja. Megjithatë më mirë vonë se kurrë.
Dalja kundër atij amendamenti ishte dhe dalje kundër ish-kryeministrit Berisha. Mendoni se ka ai moment ka qenë pika e ndarjes tuaj nga PD-ja?
Sigurisht që nuk ka qenë një çështje e vetme dhe absolutisht për mua personalisht nuk ka qenë ky amendament, por kjo nuk do të thotë që nuk ka qenë kështu për ish -kryeministrin. Ndoshta për të kjo ka qenë pika e ndarjes. Arsyet e mia të largimit unë i kam bërë publike dhe shpjeguar disa herë. Ato nuk kanë të bëjnë aspak me çështje personale por me parime. Arsyet që shtynë qytetarët ta ndëshkojnë aq keq me votë, në 23 qershor 2013 atë forcë politike, mund të përmbledhin shkurtimisht dhe arsyet e mia të largimit nga ai grupim politik i cili fatkeqësisht ka humbur tërësisht identitetin dhe moralin politik.
Si ish-anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme në parlament, një pyetje lidhur me ngjarjet e ndodhura në stadiumin e Beogradit, reagimin e politikës dhe vizitën e kryeministrit Rama në Beograd?
Së pari, do veçoja sjelljen e lojtarëve në fushë, e cila ishte vërtet korrekte dhe gjykoj se të dyja palët u përpoqën maksimalisht të demonstronin se ajo ishte thjesht një ndeshje futbolli. Fatkeqësisht nuk u perceptua kështu nga gjithë pjesa tjetër dhe nga institucionet e shtetit serb. Klima shumë armiqësore e tifozerisë, mosreagimi, por, përkundrazi, favorizimi nga forcat e policisë serbe i sulmeve fizike ndaj lojtarëve të kombëtares shqiptare dhe aq më keq reagimi me të njëjtën gjuhë si ajo e tifozëve e drejtuesve më të lartë të shtetit serb, bëjnë shumë të besueshme hipotezën e një skenari të parapërgatitur nga vetë strukturat shtetërore serbe. Si mundet që një flamur që fluturon mbi stadium të mund të ndezë brenda 5 sekondave atë lloj reagimi ekstrem. Atë që duhej të bënte politika, më duket, se me një gjuhë shumë më të moderuar, diplomatike dhe konstruktive, për aq sa kam ndjekur deklarimet e tyre, e bënë futbollistët e kombëtares serbe.
Nga ana tjetër besoj se duhet veçuar qëndrimi i qeverisë shqiptare si një qëndrim i matur dhe me dozat e duhura të reagimit. Sot është e vështirë të japësh një përgjigje të prerë nëse kryeministri shqiptar, nuk ka rëndësi emri i tij, pasi ai shkon atje si përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, duhet të shkojë apo jo për vizitë atje. Por personalisht jam më shumë në favor të idesë se ai duhet të shkojë. Në diplomaci gjithçka është e mundur dhe është ndoshta pak herët për të kërkuar një përgjigje definitive nga pala shqiptare nëse do jetë apo jo atje.
Ky është një vendim që mund të merret dhe në minutë të fundit. Por nëse vizita ndodh besoj ne duhet më shumë të diskutojmë se cili do të jetë qëndrimi ynë atje, çfarë mesazhesh do të përcjellë publikisht kryeministri, sesa të merremi me faktin bëri mirë apo keq që shkoi. Duhet të kuptojmë që bëhet fjalë për interesa kombëtarë dhe jo personaleë apo partiakëe. E për këtë arsye duhet që, si aktorët politikë ashtu dhe opinioni publik, duhet të jenë racionalë në arsyetime dhe mbështetës të autoriteteve shqiptare në veprimet e tyre.
Marrë nga e përditshmja “Shekulli”. Qortimi i gabimeve nga “Dyrrah”-u