Pas reshjeve të dendura të shiut, Ujësjellës Kanalizime Durrës po merret me pastrimin e pusetave dhe kanalizimeve të bllokuara.

Prej 5 ditësh, 6 grupe janë shpërndarë në terren me punëtorë dhe mjete për zbllokimin e kanalizimeve të ujërave të shiut, si dhe ato që janë të përziera me ujërat e ndotura.

Përgjegjësi i sektorit të kanalizimeve pranë UKD, Bledar Metalla shprehet se pavarësisht reshjeve dhe përmbytjeve në disa pjesë të qytetit, situata ka qenë e mirë përgjithësisht dhe shumica e rrugëve kanë qenë të kalueshme.

Ujësjellës Kanalizime Durrës ka në terren 4 autobote për zhbllokimin e kanalizimeve, 2 autobote thithëse si dhe 2 pompa për largimin e ujit nga oborret e shtëpive ku ka prezencë uji.

Gjatë ditëve të reshjeve stacionet e pompimit kanë punuar normalisht, të cilat pompojnë vazhdimisht ujërat e ndotura drejt impiantit të trajtimit në Shanvlash së bashku me ujërat e shiut në ato zona të qytetit ku kanalizimet janë të përziera.

Përgjegjësi i kanalizimeve shprehet se përmbytjet në disa zona të qytetit kanë ndodhur për arsye të ndryshme, që nga sasia e madhe e gjetheve të pemëve që kanë bllokuar skarat, hedhja e materialeve të ndryshme si inerte dhe mbeturina nga banorët etj.

Janë tre zona problematike që në raste të reshjeve me intensitet të lartë përmbyten rregullisht, siç është kryqëzimi pranë stadiumit, rrugët në lagjen 17 pranë sigurimeve shoqërore dhe një pjesë e rrugës “Taulantia”.

Për dy zonat e para, kryqëzimi pranë stadiumit dhe lagjja 17, të gjitha ujërat shkojnë në një stacion pompimi, pranë rrethrrotullimit të Kënetës.

Kjo zonë do të jetë dukshëm e përmirësuar sapo të përfundojë investimi që po kryhet me fonde të bashksië dhe qeverisë për kanalin që mbledh ujërat e kodrës, investim i cili është në përfundim.

Për zonën e shëtitores “Taulantia”, është menduar që të ndërtohet një stacion i ri pompimi përballë pishinës së qytetit, cili do të largojë ujërat që mblidhen në këtë zonë.

Bashkia e ka tenderuar projektin për stacionin e ri dhe së shpejti nisin punimet.