Situata me mbeturinat që derdhen kudo nëpër rrugët e Durrësit vijon të jetë problematike për qytetin bregdetar.

Në një kohë kur temperaturat janë gjithnjë e në rritje dhe turistët anë e mbanë botës kanë mbërritur në Durrës gjatë sezonit turistik, plehrat e patërhequra prej disa ditësh ofrojnë këtë pamje të shëmtuar.

Fotoja e mëposhtme është shkrepur mëngjesin e sotëm në rrugën “Mbreti Pirro” në lagjen nr.18, në një zonë të banuar, ku mbeturinat urbane përveçse në kosh kanë përfunduar në trotuar dhe në rrugë, duke kundërbuar erë të rëndë rreth e qark.

Prej vitit të kaluar, kur qeveria mbylli vend-depozitimin në Porto Romano për ta shndërruar në Eco Park, banorët e Durrësit janë përballur disa herë me emergjencat mjedisore për shkak të mos tërheqjes së plehrave për ditë të tëra brenda në qytet dhe zona periferike.