Porti i Durrësit ka qenë kryefjala e skenës politike prej më shumë se një jave, por çfarë fshihet pas këtij porti, kush ka të drejtë opozita apo mazhoranca? Ky ka qenë fokusi i diskutimit në emision ‘Pa Protokoll’ në Report Tv, ku kreu i PD-së së Durrësit Igli Cara, tha se qeveria nuk ka bërë transparencë dhe se kalon me procedurë të përshpejtuar një projekt shumë të rëndësishëm. Sipas tij, ky projekt është dhënë pa garë dhe po i falet toka investitorit.

“Nuk mund të japësh një pronë pa garë. Ta falësh. Përfaqësuesit e BE kanë kërkuar transparencë. Rama ka qenë i pasinqertë. Është Alabbar me familjen e tij, nuk është Emar. Tha do investohen 2.1 mln euro. 180 mln euro nga kompania, 80 mln euro investim, 80 hua nga banka. Pjesa tjetër do gjenerohet nga të ardhurat. Gënjeshtër. I pavërtetë kur deklaronte se kjo firmë është e suksesshme në Beograd, të gjithë e dimë që dështoi. Bëhet fjalë për 480 apartamente, ndërhyn aq shpejt. Transparenca zero. Sillet dhe kalon për 12 ditë një projekt kaq i rëndësishëm, një aset kombëtar. Si mund të falësh një pasuri 3.8 mld euro”, tha Cara.

Më tej ai shtoi se është plotësisht pro portit të Marinës, pro zhvillimit të portit në një zonë tjetër, por është kundër një afere korruptive të ndërtimit të pallateve që i shërbejnë vetëm klientëve të Ramës.

Cara thotë se nga 12 mijë apartamente që do të ndërtohen nga ky projekt, 4 mijë i takojnë shtetit shqiptar, dhe pse jo këto apartamente t’u jepen qytetarëve të Durrësit, familjeve të reja që mund të ikin në emigrim.

Projekti i Portit të Durrësit ka nxitur një sërë debatesh pas kërkesës së qeverisë për të kaluar marrëveshjen në Kuvend me procedurë të përshpejtuar. Opozita akuzon qeverinë së pas projektit për ndërtimin e projektit të Durrësit, fshihet një aferë korruptive, kriminale dhe mafioze, ndërsa kërkojnë më shumë transparencë nga ana qeverisë në lidhje me projektin.