Reshjet intensive të shiut kanë krijuar problemet e para në disa banesa në zonën e ish-Kënetës.

Në oborrin e banesave të rreth 6 familjeve niveli i ujit është rritur ndjeshëm.

Burime bëjnë të ditur se uji arrin nivelin e rreth 20 cm dhe shkak për këtë është bërë ndërtimi i shtëpive nën kuotën e rrugës.

Drejtori i MZSh, Shkëlqim Troplini thotë për “DurrësLajm” se mjetet dhe efektivët e zjarrfikësve janë në terren në gadishmëri të plotë dhe po u përgjigjen telefonatave të qytetarëve që kërkojnë ndihmë.

Pak minuta më parë është mbledhur dhe Shtabi i Emergjencës pranë Prefekturës për të diskutuar masat që po merren në terren në të gjitha bashkitë, që qarku Durrës përfshin.

Deri më tani raportohet se të gjitha stacionet e pompimit janë duke punuar me ngarkesë të plotë, andaj për momentin nuk raportohen probleme në furnizimin me energji elektrike.