Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe ambasadorja e BE në Shqipëri Christiane Hohmann morën pjesë sot në përurimin e çerdhes nr.3, e rikonstruktuar me fondet e BE.

Kjo godinë arsimore është vetëm një nga rreth 20 të tilla, që po rikonstruktohen dhe rindërtohen nga e para në kuadër të projektit EU4Schools në bashkinë Durrës.

Në ndryshim nga 3 vite më parë, godina tashmë ofron ambiente mjaft bashkëkohore dhe me standarte shumë të larta, gjë që e theksoi gjatë fjalës së saj kryebashkiakja Sako dhe njëra nga edukatoret e çerdhes.

Por ndërsa rreth 160 fëmijë 6 muajsh deri në 3 vjeç i gëzohen çerdhes së re janë me mijëra nxënësit e Durrësit që prej 3 vitesh zhvillojnë mësimin pasdite, në pritje të rindërtimit të shkollave të tyre.

Të pyetura nga “DurrësLajm” mbi ecurinë e këtij procesi dhe kur pritet të dorëzohen shkollat e reja të Durrësit, ambasadorja Hohmann dhe përfaqësuesja e UNDP në Shqipëri Monica Meroni nuk deklaruan një afat konkret, ndërsa falenderuan autoritetet vendore për mbështetjen.

Programi i BE-së EU4Schools nisi zbatimin në prill të vitit 2020, si ndihmë për qytetet shqiptare të dëmtuara në masë të madhe nga lëkundja sizmike e 26 nëntorit 2019. Në kuadër të këtij programi do të ndërhyhet në 60 godina arsimore, në 11 bashki të vendit.

M.B.