Banorët e lagjes nr.13, në rrugën “Mbreti i Arbrit” kanë reaguar sot mjaft të irrituar para bashkisë Durrës për rikonstruksionin që po i bëhet rrugës së tyre pa u bë më parë kanalizimet.

Ashtu siç patën paralajmëruar një ditë më parë, banorët u mblodhën para bashkisë, sepse donin të takoheshin me kryebashkiaken Emiriana Sako, për t’i parashtruar asaj ankesat.

Banorët deklarojnë se përmbyten prej vitesh sa herë ka reshje, ndërkohë që i tremben faktit se shtrimi i çakullit pa ndërhyrë më parë tek kanalizimet do ta bëjë edhe më të rëndë situatën.

“Këtej thonë se do ta bëjnë si Dubai, këtej s’po bëhet as si në Irak rruga”,- deklaroi njëri nga banorët.

“Këtij zotërisë i hyn uji në shtëpi gjysëm metri, tani do bëhet katastrofë fare.”,- tha një tjetër.

Ndërsa një tjetër banor tha se pasi komunikoi me kreun e komunës, përgjigja që mori prej tij ishte: “A donit rrugë, rrugë po ju bëjmë”.

Më herët ishin qytetarë të rrugës “Rrota e Kuqe”, që ngritën të njejtin shqetësim dhe tentuan të ndalojnë punën e firmës, që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve.

Dy ditë më parë, kryebashkiakja Emiriana Sako, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi përfundimin e rikonstruksionit të 4 rrugëve, investim i realizuar në bashkëpunim me FSHZH.

Sipas Sakos, rehabilitimi i këtyre rrugeve i shërben banorëve të zonës dhe lehtëson ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.