Të lëvizësh me makinë sot është shpeshherë domosdoshmëri, por të gjesh vend për ta parkuar atë është stres.

Kushdo që jeton prej vitesh në Durrës e kupton se me kalimin e viteve po bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjesh një vend parkimi.

Mision i pamundur bëhet në kohën e sezonit veror, kur numri i popullsisë dy-trefishohet.

Nuk është çudi, që për orë e orë të tëra të sillesh vërdallë, pa ditur ku të parkosh makinën e madje të futesh në konflikt me njerëz të tjerë, që kanë të njëjtin hall si ty.

Por cilat janë arsyet që po e krijojnë këtë situatë?

Këtu mund të renditen shumë, duke filluar që tek mungesa e parkingjeve publike e deri tek ngushtimi i rrugëve për më shumë funksione, por kamera e “DurrësLajm” ka pikasur edhe një arsye tjetër, që me trajtimin e duhur mund të bëhet edhe zgjidhje.

Kudo nëpër qytet shohim makina të dëmtuara, të pluhurosura e të braktisura, të parkuara prej kohësh në anë të rrugës.

Pamjet që ne sjellim më poshtë, të xhiruara në disa prej rrugëve të qytetit (por jo në të vetmet që kanë të njejtën problematikë), na shërbejnë si dëshmi e gjithë sa thamë më sipër.

Në kohën kur qytetarët vërdallisen lart e poshtë me automjet në kërkim të një vendi parkimi (Dhe karburantet i kanë çmimet në qiell!!!), a nuk do ta lehtësonte sadopak këtë “ngërç” heqja e këtyre mjeteve, që pa të drejtë “pushtojnë” rrugën dhe vendin e parkimit të dikujt?

K.Gj.