Bashkimi i operatorëve ekonomikë “BE – IS” sh.p.k & “ERGI” shpk janë shpallur kompania fituese që do të realizojë projektin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit “Dua te luaj” (rajoni 1 dhe 2), mes të cilëve është dhe parku “Vala” në Durrës, që do të ndërrtohet tek ish-fusha e rërës, në lagjen nr.18.

Projektin në fjalë e pati njoftuar paraprakisht në muajin gusht kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale ku publikoi edhe një video sesi pritet të jetë forma përfundimtare e këtij parku urban për të rritur e fëmijë.

Kompania fituese ka bërë ofertën 372.165.591 lekë, ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozion nga FSHZH ishte 375,000,000 lekë.

Sheshi ka një sipërfaqe rreth 8 mijë m2, në formë drejtkëndore.

Vala Park përfshin kryesisht fusha sportive si volejbolli, tenisi,mini kalceto, basketbolli dhe një palestër e hapur + fitplay.

Fokus, në këtë projekt, përveç sheshit kryesor ishin dhe xhepa të formuar mes pallatave në këtë zonë, që aktualisht nuk kanë funksion.

“DurrësLajm” po publikon më poshtë disa foto ekskluzive në 3D nga parku “Vala”.