Ujësjellës Kanalizime Durrës njofton abonentët e qytetit të Shijakut që të lidhen në rrjetin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm.

UKD ka bërë gati rrjetin e ri të furnizimit me ujë dhe për këtë qëllim pranë banesave të tyre gjendet kaseta e re bashkë me matësin. Tashmë në terren po punon stafi, në mënyrë që linja e re të bëhet funksionale pjesë-pjesë. Në këto vende duhet bërë lidhja me rrjetin e ri, ndërkohë që abonentët kanë afat 2 javë për të kryer kalimin në këtë rrjet.

Ujësjellës Kanalizime Durrës bën të ditur se matësat e ujit janë falas dhe qytetarët nuk do ta paguajnë tarifën e tyre. Rrjeti i ri shpërndarës i vjen në ndihmë një popullsie prej 14 mijë banorësh dhe pritet të rrisë kohën e furnizimit me ujë.

Gjithashtu duke qenë se eliminohen plotësisht lidhjet e paligjshme, banorët e Shijakut do të kenë ujë me cilësi më të mirë. Theksojmë se pas dy javësh, i gjithë rrjeti i brendshëm i qytetit të Shijakut që ka funksionuar deri tani, do të dalë jashtë funksionit dhe furnizimi me ujë do të bëhet vetëm nga rrjeti i ri. Qytetarët kanë afat deri në datën 7 dhjetor 2022.