Publikohen pamjet e operacionit “Motoristi” që çoi në arrestimin  e 7 personave dhe sekuestrimin e rreth 62 kg kanabis.

Siç duket edhe në videon e mëposhtme, të arrestuarit janë shtrirë në tokë dhe janë prangosur nga efektivët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Bëhet fjalë për shtetasit; K. C., 39 vjeç, O. D., 44 vjeç, K. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, G. L., 28 vjeç, banues në Dibër, A. Gj., 39 vjeç, G. S., 22 vjeç dhe A. S., 40 vjeç, banues në Krujë.

Këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar me 3 mjete të ndryshme në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë. Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në njërin prej mjeteve u gjetën rreth 62 kg lëndë narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 3 mjetet dhe 12 aparate celulare.   

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.