Arben Manaj

Rrugës nga aeroporti i Manilës për në hotelin ku do qëndroja përpara një jave, në Filipine ku edhe jam momentalisht, taksia kaloi pranë një monumenti, për të cilin partnerja ime më shpjegoi se në atë vend kishte ndodhur ajo që tashmë njihet si “People Power Revolution” dhe  simbolizonte lëvizjen popullore disaditore për përmbysjen e Presidentit Ferdinand Markos, një proamerikani të thekur, por një prej politikanëve më të korruptuar në Azi dhe më gjerë. Pas tij të njëjtin fat pati edhe Presidenti tjetër filipinas, Estrada.

Me shpoti partnerja ime, e cila e njeh Shqipërinë, Berishën, Ramën dhe  mënyrën se si reagojnë shqiptarët për të zgjidhur hallet e tyre, më tha se kjo frymë mungon në Shqipëri. Kjo m’u kujtua këto ditë ndërsa po lexoja nga ana tjetër e botës, për t’i ikur vapës tropikale, për debatin e nxehtë politik për koalicionin parazgjedhor mes PS dhe LSI.

Në Shqipëri është kjo situatë që është, pasi nuk ka një inspirim qoftë edhe fetar si ai përpara disa dekadave në Filipine apo civil si rëndom në një shoqëri normale apo minimale demokratike, ku populli reagon dhe ndëshkon edhe përmes lëvizjesh politike zgupthi këdo që abuzon politikisht dhe ekonomikisht.

Sot levën e Arkimedit në politikën shqiptare e kanë afro 100 e ca mijë shqiptarë, kryesisht të majtë që votojnë LSI dhe që potencialisht do të mund të bëjnë diferencën edhe më 23 qershor. Dhe kjo, edhe pse absurde sërish është demokratike në vetvete. Mbi këtë të dhënë të mirëqenë e ka spunton lëvizja e detyruar politike e Ramës për të bërë kompromisin amoral historik me Metën.

Ka shumë argumente pro dhe kundër një lëvizjeje të tillë dhe personalisht jam më shumë dakord me ato pro koalicionit. Dhe këtu nisem nga ngjashmëria e madhe mes djallit dhe engjëllit në politikën shqiptare.

Meta si politikan, në vitet e fundit është ai që me të drejtë, për opinionin e gjerë të majtë dhe opinionistët e qendrës dhe ata të majtë, ka mëkate që një Zot e di se si do t’i shlyejë. Pa dyshim rikthimi i plangprishësit në shtëpinë politike biologjike nuk është shenjë e reflektimit assesi. Janë motive të tjera, madje disa së bashku që e nxisin të veprojë politikisht siç veproi. Kjo është punë e tij dhe e partisë së tij.

Nëse ky kapërcim gardhi është vazhdim i planeve të tij si politikan minues i së majtës shqiptare, siç njihet gjerësisht përmes akrobacive postzgjedhore dhe pabesisë politike në favor të Berishës dhe në disfavor të Ramës, kjo mbetet të shihet, ashtu siç mbetet të shihet nëse në një qeverisje të ardhshme do ndërrojë po në 180 gradë zakonin e sjelljes dhe raportin e tij personal dhe partiak me pushtetin dhe shtetin e deformuar shqiptar, falë edhe kontributit të tij.

Ashtu si Berisha, edhe Meta e ka të drejtën e shansit të dytë në parim edhe pse shumë më pak mëkatar sesa Berisha i ’97-s, të drejtë që shqiptarët mendjelehtësisht ua delegojnë edhe pse me kosto jo të vogla për ta dhe për vendin. Në tërë këtë skemë politike, Meta kishte edhe gurin dhe arrën në dorë, nisur nga rezultatet e fundit zgjedhore dhe mundësitë praktike për të influencuar dhe marrë vota edhe në rrugët më të pandershme të mundshme. Ndërsa Rama kishte në dorë vetëm njërën prej tyre, arrën gungë.

Nëse dikush i lejon vetes në politikë të sillet emocionalisht, është mirë të ndërrojë profesion. E në këtë rrafsh nëse dikush mendon se vota e LSI është e parëndësishme më 23 qershor, është mirë ta lërë këtu leximin dhe të bëjë diçka tjetër. Sakaq nëse dikush mendon se katër vjet të tjera me Berishën dhe shtetin e tij të paçmontuar për hir të disa parimeve morale të drejta, por jo aq përcaktuese për fatet në vazhdim të demokracisë dhe stadit të saj aktual dhe jo atij ideal, në këtë Shqipëri të 2013-s, le të biem dakord për të mos qenë dakord, personalisht do ta cilësoja alien politik.

Politika kontemporane është plot me shembuj të tillë paparimësish politike. Shembull epitomik është koalicioni aktual qeverisës britanik i Cameron me liberal-demokratin Nick Clegg. Nëse kërkojmë moral dhe parime të tilla puritane kam frikë se as në vendin e udhëheqësit më të trashë të popullit më të hollë në shtat në botë nuk e gjeni; në Korenë e Veriut.

Edi Rama mund të mos ketë bërë lëvizjen më elegante politike siç do e dëshironte ai në karrierën e tij si politikan në një situatë normale, por pa dyshim po tregohet një Kasparov i vërtetë në shah ndryshe nga Kasaparovi politik, për të mos u kapur mat dhe ribërë kurban më 24 qershor në një Shqipëri që duam apo nuk duam është edhe sot siç e përshkruan në kopertinën e librit të tij, burri i moçëm Panajot Gjiknuri “…Shqipërinë më të varfër e kam parë, po më të çoroditur se sot asnjëherë”. Në këtë Shqipëri të çoroditur në 24 qershor me Ramën dhe Metën është shumë më mirë se një e tillë me Berishën dhe Metën. E thjeshtë.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/04/11/nje-levizje-normale-per-nje-shqiperi-shume-me-normale/