Në muajin mars, për 10 ditë me radhë, u zhvilluan në amfiteatrin e Durrësit sondazhet gjeologjike. Ato kishin për qëllim që përmes kampioneve të marra nga shtresat nëntokësore të zbulonin më shumë për monumentin antik.

Në një prononcim për “DurrësLajm”, arkeologu Ols Lafe, që drejtoi grupin e punës, zbulon disa nga gjetjet e sondazheve vertikale.

“Shohim  që veçanërisht në pjesën jugore të amfiteatrit themelet e tij janë absolutisht të forta pavarësisht se sot nuk dallojnë për shkak të rrënimit shumë shekullor dhe mijëra vjeçar. Sondat kanë arritur të kapin dhe të tregojnë qartësisht lidhjen e themeleve të amfiteatrit me me truallin argjilor në të cilin ai është ndërtuar.”,- tha Lafe.

Nga sondazhet horizontale që janë bërë në galeritë e amfiteatrit për të zbuluar lidhjen e tij me strukturën kodrinore është arritur në përfundimin se monumenti më i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore të Durrësit ka lidhje organike shumë të mirë.

Sondazhet gjeologjike janë përqendruar dhe në arenë, ku sipas Lafes në të ardhmen pritet të dalin në dritë gjetje shumë të rëndësishme.

“Zona ku ne ndodhemi gjendet në pjesën e sipërme te shtresave mbushëse të arenës së dikurshme dhe do na duhet një punë e jashtëzakonshme nga pikpamja e gërmimit arkeologjik. Pra një skuadër e madhe teknikësh, arkeologësh, gërmuesish, arkitektësh gjeologë, restauratorësh, fotografësh skicografësh etj për të arritur për t’u ulur tek niveli i këtyre mbushjeve, të cilat në pjesën e sipërme të tyre janë plot e përplot me arkeologji të të gjitha periudhave.”

Ekspeditat e viteve të fundit në amfiteatër janë përqendruar të gjitha në anën jugore të tij, por me projektin e zbulimit dhe rijetësimit të amfiteatrit që pritet të zbatohet nga Ministria e Kulturës dhe AADF, ky monument mund të kthehet ndër sitet arkeologjike më të rëndësishme në Ballkan e më gjerë.

Ditën e sotme në amfiteatër kishte shumë grupe turistike, por edhe disa vizitorë të veçantë.

“Në kuadër të “Ditëve Evropiane të Arkeologjisë”, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore zhvilloi një diskutim të hapur mbi vlerat e qytetit antik të Durrësit, kërkimet dhe gërmimet arkeologjike, ndërhyrjet konservuese në monumente etj”,– tha ndër të tjera Ela Miziri, Drejtoreshë e Shërbimit Arkeologjik, pranë IKTK.

Aktualisht Amfiteatri dhe Forumi Bizantin janë ndër të vetmet monumente të Kategorisë së parë që vizitohen në Durrës, pasi Muzeu Arkeologjik, Kulla Veneciane, Hamami turk apo Muzeu Etnografik kanë mbyllur dyert për shkak të rikonstruksionit apo janë ende në pritje të restaurimit.

M.B.