Djali i 70-vjeçarit Fadil Hunda, i cili u qëllua pak ditë më parë me dy plumba në lagjen nr.17 në Durrës, ka deklaruar se i ati nuk është plagosur për shkak të një borxhi.

Romir Hunda ka deklaruar se ishte autori ai që iu kishte borxh atyre dhe se ka dashur të marrë peng babanë e tij.

“Autori na ka borxh dhe ka dashur që të marrë peng babanë”, deklaron ai sot për mediat.

70-vjeçari pasi u qëllua me dy plumba nga autori Adil Hizdri, e ka neutralizuar 31-vjeçarin, duke i hequr pistoletën nga dora. Ngjarja ka ndodhur pasditen e 18 korrikut rreth orës 19:30 në qytetin e Durrësit.

Djali i tij ka vënë në dispozicion për mediat edhe videon e plagosjes, të cilën “DurrësLajm” e publikon më poshtë. Në video shfaqet autori i cili me pistoletë në dorë qëllon nga pas 70-vjeçarin.

31-vjeçari ishte në makinë kur e ka thirrur 70-vjeçarin, ka mbushur pistoletën dhe i ka thënë “Hip në makinë”. Kur i moshuari nuk ka pranuar të hipë, ai e ka qëlluar më pas me pistoletë.

Autori zbret nga makina për ta qëlluar sërish, por i plagosuri arrin t’ia marrë armën nga dora. Më pas vijnë menjëherë forcat e policisë, të cilët e arrestojnë autorin në tentativë për t’ia mbathur. Aktualisht i plagosuri ndodhet në spital në gjendje të stabilizuar.