Lagjja e re në Spitallë, me 85 pallatet e saj 4 katëshe, të ndërtuara për të pastrehët e tërmetit, është thuajse gati për të mirëpritur banorët e rinj.

“DurrësLajm” po ju sjell pamje nga ky kompleks banimi, në të cilin, përveç godinave të reja ka dhe hapësira të gjelbëra dhe qendra të ndryshme shërbimi.

Brenda këtij muaji, bashkia Durrës pritet të organizojë shorteun publik, ku familjet përfituese do të mësojnë sistemimin e tyre të ri, tashmë kur po mbushen 5 vite nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019.

Institucioni i qeverisjes vendore pritet të publikojë në ditët në vazhdim listën me familjet përfituese dhe datën e mbajtjes së shorteut.

Në këtë lagje të rindërtuar komplet nga e para do të akomodohen familjet, që deri 5 vite më parë banonin në pallatet apo banesat individuale, për të cilat Komisioni Shtetëror i Rindërtimit nuk dha aprovimin për t’u rindërtuar në po të njëjtin vend.

Në të kaluarën, shumë nga familjet që banonin në disa pallate në lagjen nr.5 të qytetit, që mbetën të dëmtuara rëndë nga lëkundja sizmike, kanë zhvilluar disa protesta radhazi për të shprehur kundërshtinë e tyre për sistemimin në sitin e Spitallës.

Bashkia Durrës ende nuk ka bërë publik numrin e familjeve të mbetura të pastreha nga tërmeti, që do të sistemohen në këtë lagje te re, ku janë ndërtuar 996 apartamente falë mbështetjes së Presidentit të Emirateve të Bashkuara, sheikut Muhammed Bin Zayed.

Aktualisht, rreth 2500 familje të Durrësit të mbetura pa shtëpi nga tërmeti, nuk trajtohen me bonus qiraje që nga marsi i vitit të kaluar.

Në postimin e bërë një ditë më parë nga kryeministri Rama theksohej se sistemimi i familjeve në apartamentet e reja do të përmbyllet brenda këtij viti.

Durrësi ishte qyteti më i dëmtuar nga fatkeqësia natyrore dhe 5 vite më pas procesi i rindërtimit ende nuk është përmbyllur.

Më 23 korrik, kryebashkiakja Emiriana Sako shpërndau çelësat e 135 apartamenteve të reja në banesat kolektive nr. 1 dhe 3, në rrugën “Lura”, dhe nr. 15 dhe 23 në rrugën “Ahmet Dakli”, në lagjen nr. 17.

Ndërkohë, të tjera pallate që po rindërtohen janë në proces në bashkinë Durrës, e cila disa javë më parë hapi tenderat për riforcimin e 4 godinave shumëkatëshe, më shkallë dëmi DS4.. Procesi i riforcimit të këtyre godinave do të bëhet me fondet e bashkisë.

Nga ana tjetër, në çdo mbledhje të radhës të Këshillit Bashkiak Durrës, pjesa më e madhe e projektvendimeve që miratohen nga këshilltarët lidhen drejtpërdrejt me procesin e rindërtimit.

M.B.