Partia Demokratike ka përkujtuar 34-vjetorin e daljes së numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i shtypit i selisë blu. Ajo e nxori botimin e saj të parë në 5 Janar të 1991, duke u bërë gazeta e parë e lirë pas rënies së regjimit komunist.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ngre shqetësimin për censurën që po sfidon çdo ditë lirinë e medias, e me sinqeritet pohon që nuk është, sipas tij, një problem vetëm shqiptar.

“E vërteta tmerrësisht e hidhur është se për censurën në mënyrën më marrëzore filloi të flitet edhe në vendet e lirisë. U krijuan zyra në zemër të atyre institucioneve që duhej të kishin mision të parë të kundërtën”, – tha Berisha.

Luftë ndaj fjalës së lirë, lideri demokrat cilëson dhe mungesën e përballjeve televizive mes kundërshtarëve politikë. “Qeveritarët nuk paraqiten më në debatet televizive se vjedhjet e tyre nuk kanë mundësi t’i mbrojnë”, – tha Berisha.

Kreu i PD Sali Berisha ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama pasi kreu i qeverisë njoftoi në fund të vitit të kaluar se rrjeti social TikTok do të mbyllet në javët e para të 2025-ës.

Berisha tha kryeministri është “armik i fjalës së lirë”, ndërsa shtoi se Rama po e mbyll për shkak të përdorimit masiv që ka platforma. Sipas tij, kreu i qeverisë kërkon të “varë” në litar TikTok-un.

Ai akuzoi jo vetëm kryeministrin Edi Rama, por dhe familjarë të tij, se çdo ditë sipas tij janë në frontin e parë të luftës kundër fjalës së lirë. E një formë të përpjekjeve për censurë, ai vlerëson Komisionin e Posaçëm Kundër Dezinformimit.