Partizani ka marrë një fitore dramatike në “Loro Boriçi”, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 2-3 në një ndeshje që pati gjithçka dhe u vendos vetëm në minutat shtesë. Të kuqtë kaluan dy herë në avantazh, u barazuan nga vendasit, humbën një penallti, por arritën të shënonin nga pika e bardhë në përsëritjen e saj.

Ndeshja nisi në mënyrë perfekte për Partizanin. Vetëm në minutën e 4-t, Fadairo mori topin në mesfushë dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar sferën në trekëndëshin e portës së Avramit.

Vllaznia reagoi menjëherë dhe nisi të shtyjë përpara. Presioni i shkodranëve u shpërblye në minutën e 21-të, kur pas një goditjeje këndi, Vata u përplas me sferën dhe e dërgoi atë në portën e tij.

Vendasit patën mundësi të përmbysnin rezultatin, por Qirko ishte në lartësinë e duhur. Në minutën e 40-të, portieri i Partizanit ndali një goditje të fortë të Balajt, duke mbajtur skuadrën e tij në lojë.

Kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit, Partizani goditi sërish. Në minutën e katërt shtesë, Bintsouka nisi një kundërsulm të shpejtë dhe gjeti Aliun, i cili nuk gaboi përballë Avramit duke rikthyer avantazhin e të kuqve. 1-2 për Partizanin në pushim.

Në pjesën e dytë, Vllaznia u shfaq më agresive dhe kërkoi menjëherë barazimin. Ai erdhi në minutën e 57-të, pas një gabimi të portierit Qirko. Ky i fundit grushtoi gabimisht një top në zonë dhe sfera përfundoi te Musta, i cili e dërgoi me lehtësi në portën e boshatisur.

Me rezultatin 2-2, ndeshja u bë edhe më e hapur. Të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar, ndërsa Partizani iu afrua golit në minutën e 64-t me Aliun. Sulmuesi u shfaq përballë Avramit dhe tentoi shtyllën e largët, por portieri i Vllaznisë reagoi mirë.

Rasti më i madh i vendasve erdhi në minutën e 79-të. Tounkara gjuajti drejt portës, por Qirko i mohoi golin. Musta mori më pas topin dhe tentoi ta dërgonte në rrjetë, por Janjeva ndërhyri në momentin e fundit dhe shpëtoi Partizanin.

Dhe kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, drama nisi në minutën e parë të shtesës.

Partizani fitoi një penallti dhe pa përpara një mundësi të artë për të marrë fitoren. Përgjegjësinë e mori përsipër Sidibe, por goditja e tij u ndal nga portieri Avram.

Megjithatë, aksioni nuk përfundoi aty. Musta, i cili largoi topin pas pritjes së portierit, kishte hyrë më herët në zonë. Arbitri Lata sinjalizoi përsëritjen e penalltisë, duke i dhënë Partizanit një tjetër mundësi nga pika e bardhë.

Këtë herë përgjegjësinë e mori përsipër Human. Futbollisti i Partizanit tregoi qetësi dhe me një goditje të zgjuar arriti të mposhtë portierin e Vllaznisë, duke shënuar golin e fitores.

Kështu, Partizani triumfon 2-3 në “Loro Boriçi” në një sfidë dramatike, ku fitorja u vendos vetëm në sekondat e fundit. Të kuqtë marrin një sukses të rëndësishëm pas një ndeshjeje ku e panë dy herë avantazhin t’u barazohej, ndërsa Vllaznia largohet me duart bosh pas një fundi tepër të hidhur.