Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-punonjësen e Bankës së Shqipërisë, Milena Deraj, e cila u dënua me 5 vite burg.

Ish-punonjësja e BSH u deklarua fajtore për veprën penale të “Mashtrimit”.

31-vjeçarja u arrestua rreth nje vit me pare, pasi u akuzua se ka mashtruar tre persona duke u marrë shuma të majme parash.

Deraj iu mori Hasan Verracakut, Abedin Verracakut, Shyqyri Verracakut, shumën prej 340 mijë euro, duke iu premtuar se do i ndihmonte në një gjyq që ata kishin.

Po ashtu ajo ka mashtruar edhe shoqen e saj, duke i marrë një shumë prej 230 mijë euro në këmbim të bonove të thesarit.

Kur shoqja e saj e ka kuptuar se ishte mashtruar dhe nuk po merrte bonot në këmbim të parave, është paraqitur në polici dhe ka denoncuar rastin.

Nga ana tjetër, në polici është paraqitur edhe Milena Deraj, e cila ka pretenduar se është kërcënuar dhe kanosur nga Verracakët.

Këta të fundit, e provuar nga hetuesit, kanë zbuluar se kërcënimet janë bërë sidomos nga djali Abedin Verracaku, i cili i ka shkruar mesazhe kërcënuese. Pas kësaj, policia ka shpallur në kërkim Abedin Verracakun, Shyqyri Verracakun dhe Hasan Verracakun (babai dhe dy djemtë), banues në Shkodër, pasi me vetëgjyqsi kanë kanosur Milena Derajn, me qëllim kthimin e parave.