Policia e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar, lidhur me ngjarjen e regjistruar pasditen e kësaj të premteje në zonën e ish-Kënetës, ku një i ri duke drejtuar një automjet tip “Benz” përplasi një motor dhe një biçikletë dhe la të lënduar drejtuesit e tyre.
Një nga të aksidentuarit, shtetasi F.Gj, rreth 50 vjeç, ka ndërruar jetë, njoftojnë blutë e qarkut, ndërsa drejtuesi i automjetit shtetasi L. Z, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tij.
Njoftimi i plotë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në lagjen 14/1 Durrës, një automjet me drejtues shtetasin L. Z, është përfshirë në një aksident me një motomjet me drejtues shtetasin Sh. S, dhe një biçiklist shtetasin F. Gj.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi F.Gj, rreth 50 vjeç.
Drejtuesi i automjetit shtetasi L. Z, është larguar nga vëndi i ngjarjes dhe vijon puna për kapjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.





