Evidentohen dhe goditen 3 raste të tjera të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 3 të tjerë, pasi u kapën në flagrancë në 3 lokale, duke organizuar lojëra fati, me celularë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme në ambiente të ndryshme, kanë evidentuar 3 lokale ku ushtrohej kjo veprimtari.
Në vijim të veprimeve u arrestua shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shijak, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 26 vjeç, E. S., 37 vjeç dhe A. N., 32 vjeç, të tre banues në Durrës. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 6 celularë që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.